Akuzat e Pashk Laskës, Shtubina: Fjala e tij, në vesh të perëndisë


“Shpresoj që fjala e Pashkut të shkojë në vesh të perëndisë”. Me këtë batutë i përgjigjet Ndriçim Shtubina “parashikimit” të bërë nga presidenti i Laçit, Pashak Laska. Ky i fundit dha që Vllaznia do të fitojë ndaj Luftëtarit dhe se autori do të ishte pikërisht kapiteni i kuqebluve.

Në një deklaratë për “Panorama Sport” mesfushori evidenton se skuadra e tij është e vetmja që luan në fushë dhe nuk është përfolur për “pazare”.

“Vllaznia është i vetmi ekip që di të luajë vetëm në fushën e blertë. Nuk është mirë që të flitet për të tilla gjëra dhe emri ynë të lakohet kështu. Sa i përket ‘parashikimit’ të bërë nga presidenti i Laçit se unë do të shënoj, shpresoj që të bëhet realitet. Për të pasur rezultate, ne punojmë gjatë gjithë javës. Gara e mbijetesës është bërë shumë e fortë, ndërsa jemi disa ekipe në këtë luftë, ndaj të gjithë duam që të mos dalim pa pikë në çdo javë të kampionatit.

Pastaj, nëse arrijmë që të marrim fitore ndaj rivalëve direkë do të ishe gjë e madhe. Por, përbaltja nuk është aspak pozitive. Laska ndoshta ka përmendur emrin tim si autor goli për këtë takim, pasi unë i kam shënuar Luftëtarit. Por, për mua, ka pak rëndësi se kush e dërgon topin në rrjetë. E rëndësishme është që ne të marrim pikët e plota”, u shpreh kapiteni i shkodranëve.

vllaznia

Pritshmëritë

Përballja me Luftëtarin shikohet si tepër e vështirë prej kuqebluve. Skuadra gjirokastrite është një kockë e fortë, sidomos në fushën e vet. E, megjithatë, ky fakt nuk i ndryshon objektivat e Vllaznisë. Ata kanë për qëllim që të udhëtojnë drejt Gjirokastrës për të marrë maksimumin, por edhe barazimi nuk do të ishte keq. Sipas kapitenit, ata në çdo takim shkojnë për të fituar, ndaj edhe Luftëtari nuk do të bëjë përjashtim.

“Unë e shikoj si tepër të vështirë këtë 90-minutësh. Pavarësisht atyre që po na japin zemër se do ta kemi të lehtë, unë dhe pjesa tjetër e ekipit e kemi të qartë se do hasim një pengesë të fortë në këtë transfertë. Ndeshemi me një rival direkt për luftën për mbijetesë dhe, në të tilla kushte, edhe marrja e një pike ndoshta do të na kënaqte. Por edhe kundërshtari të njëjtin synim ka, ndaj parashikoj një duel të fortë.

Luftëtari është ekipi që po prodhon futboll dhe, mbi të gjitha, ne në Shkodër na ka mposhtur. Por, gjithsesi, unë shpresoj dhe besoj te forca e grupit. Nuk do të dalim duarbosh, nëse japim shpirtin në fushë. Është objektivi i vetëm që kemi jo në këtë ndeshje, por në çdo takim. Pastaj rezultatet i mbeten fushës dhe fatit”, përfundoi Shtubina.

 


Përgjigju