Anila Konomi: Moda, stili i shqiptarëve kaotik


Të përshkruash situatën aktuale të shqiptarëve në raport me modën në këndvështrimin e një veterane të modës si Anila Konomi, do të thotë që diskutimi të kalojë edhe në çështje kulturore, sociale, historike. “Shqiptarët arrijnë të sakrifikojnë gjithçka për të qenë estetikisht të kuruar apo të ndjekin modën e brendeve elitare”. Por nëse do të na duhet ta përmbledhim shkurt situatën e modës, atëherë mjafton të përdorim një fjalë: kaotike.

***

Cili është momenti i parë që mban mend në jetën tënde që ka lidhje me modën?
Një moment i tille ka qenë sigurisht kur realizova krijimin tim të parë, të cilët kanë qenë një palë pantallona xhins që unë asokohe i referohesha si “pantallonat e ëndrrave”. Në atë kohe ai material ishte shumë i dëshiruar dhe në momentin që më ra në dore ajo cope përjetova një emocion të papërshkrueshëm, e cila dhe më shtyu të bëja krijimin tim të parë. Ishte ajo zanafilla që nisi rrugëtimin tim si stiliste, duke qenë se kuptova se emocioni dhe adrenalina që më jep stilizimi ishte kthyer në një motiv për jetën time.

Cilat kanë qenë kombinimet e para që mban mend nga mosha e fëmijërisë?
Duke qenë se unë jam binjake me motrën time, prindërit e mi nisur nga tradita na detyronin të visheshim gjithnjë identike me njëra-tjetrën. Kjo për mua ka qenë një aspekt shumë i vështirë për t’u pranuar, sepse që në moshë të re e vlerësoja dhe e respektoja identitetin e stilit të një individi. Kështu që në mënyrë konstante , unë çdo ditë bëja të pamundurën që veshja ime të ndryshonte sadopak nga ajo e motrës. Gjithnjë përpiqesha të shtoja ndonjë element veshjes duke e sjellë atë ndryshe në stil nga e motrës, apo mund të shtoja një aksesorë veshjes që të binte në sy që “Unë jam ndryshe”.

Cilët janë stilistët të cilët të frymëzojnë më shumë?
Për shumë vite tashmë i kam qëndruar besnik stilit të pagabueshëm të Armani-t. Për mua ai mbetet një stilist me një krijimtari të përjetshme, duke qenë se krijimtaria e tij mbetet gjithnjë superiore në çdo kohë. Por, më duhet të them që kohët e fundit jam ngacmuar dhe nga linja te tjera pak më të reja si: Victoria Bechckam, Zac Posen, Erdem.

Ke ndryshuar stil me kalimin e viteve? Pse ka ndodhur kjo?
Sigurisht që po, derisa të gjeja stilin tim më është dashur në fakt shumë vite. Kam eksperimentuar vazhdimisht, disa herë dhe mund të kem gabuar por më ka ndihmuar ë identifikohem tashmë në stilin qe unë mbart. Gjithnjë kam qenë e mendimit se eksperimentimi në stil në vetvete ka shumë aspekte pozitive sepse të ndihmon të krijosh unin si individ, për sa i përket stilit por dhe karakterit, duke qenë se ato lidhen ngushtë me njëra-tjetrën.

Cila është muza jote e frymëzimit?
Ndër vite jam frymëzuar jo pak herë nga motivet e veçanta popullore. Mbase mund të tingëllojë pak çuditshëm, por në fakt jam e mendimit se ato krijime mbartin vlera dhe një stil të pavdekshëm. Jam munduar që në sfilatat e mia, herë pas herë të përfshij elementë të tille, sepse kam dëshiruar që krijimet e mia të mbartin këtë identitet. Por tani, jam tërhequr paksa nga ky aspekt, duke qenë se frymëzimin e gjej më së shumti tek lëvizjet e materies, tek ngjyrat dhe nuancat që janë të prekshme nga kalimet e stinëve.

A vishen shqiptarët bukur?
Gjithnjë kam qenë e mendimit se shqiptarët kanë shumë dëshirë të vishen bukur, por duhet akoma kohë që të gjejnë veten e tyre në stilin që i identifikon. Jam e mendimit se stili edhe pse mund të jetë i lindur ai duhet të kultivohet dhe kjo kërkon jo pak kohë.

Cili është paradoksi ynë më i madh i modës?
Tek ne lindin gjithnjë paradokse të reja dhe për sa i përket modës. Ajo që theksoj gjithnjë si paradoksin më të madh është fakti se, edh pse kemi shumë vështirësi ekonomi si vend, shqiptarët arrijnë të sakrifikojnë gjithçka për të qenë estetikisht të kuruar apo të ndjekin modën e brendeve elitare.

I ndjek bloggeret shqiptare të modës, cila prej tyre të pëlqen më shumë?
Sigurisht që i ndjek me shumë vëmendje, sepse edhe ato si ne stilistët janë tepër koherent me tendencat e modës dhe këshillat e tyre po ashtu janë tepër te vlefshme. Personalisht më pëlqejnë shumë në stilin që përcjellin, por do të veçoja më së shumti stilin e Anxhelina Kotorrit (Angelina’s Lookbook), të cilën e vlerësoj shumë për stilin e saj guximtar dhe këshillat tepër koherente.

Ka lindur një lloj i ri personazhi publik i krijuar nga rrjetet sociale, po për krijueset e modës nga rrjetet sociale, çfarë mendimi ke?
Rrjetet sociale atë kanë si qëllim, pra të promovojnë këta lloj individësh që kanë diçka për të shprehur nëpërmjet qëndrimeve apo fotove të tyre. Për sa kohë që këta të lindur nga këto rrjete përcjellin trende mode dhe stile te veçantë, nuk shoh asgjë të keqe, biles do t’i inkurajoja të bënin maksimumin në edukimin ndaj stilit.

Je keqkuptuar ndonjëherë nga mënyra sesi vishesh?
Po ka pasur shpeshherë keqkuptime pasi unë parapëlqej të jem fanatike e stilit tim. Por ka shumë nga ata qe duan qe unë të bëj modelen dhe të mbart çdo gjë që krijoj në atelie! Por si gjithnjë unë zgjedh të mos e tradhtoj stilin tim, dhe madje e jap shpeshherë si një këshillë të vlefshme!

Po ju vetë paragjykoni nga mënyra e veshjes?
Sigurisht që dhe unë paragjykoj, por vetëm atëherë kur veshja është përdorur si mjet për të arritur qëllimin si dhe kur personi në fjalë nuk ka ditur ta bëjë mirë atë. Në realitet ndeshesh me shumë shembuj të tille, të cilët e kanë të domosdoshme të këshillohen me profesionistë, sepse jo gjithkush e ka nuhatjen e stilit.

Me një fjalë të vetme si do ta përcaktoje stilin e shqiptarëve?
Kaotik.

Një këshillë mode?
Të ndërthurin gjithnjë stilin e tyre dhe trendët e reja me komoditetin dhe me një sens praktik.


Përgjigju