‘Bomba’ e Nishanit: Per dekretimin e Xhafes me shume te merzitur ata fare qeverise se opozita


Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka folur te “5 pyetjet nga Babaramo” për dekretimin e Fatmir Xhafajt ministër të Brendshëm.

Nishani sqaroi edhe njëherë tjetër se është Kushtetuta ajo që nuk e lejon të rrëzojë propozimin e Kryeministrit, pasi nëse do të kishte një tagër të tillë, do ta kishte rrëzuar Xhafajn.

Duke iu referuar reagimeve të përfaqësuesve të opozitës të cilët nuk kanë kursyer kritikat në adresë të kreut të shtetit, Nishani tha se i mirëkupton ato, por ajo që e çudit është se të mërzitur ka edhe nga radhët e qeverisë.

Disa i mirëkuptoj, disa më ccudisin. Unë jam në zyrën e Presidentit të Republikës si një institucion që qëndron jashtë reagimeve të partive politike. Nuk jam në zyrën e Presidentit të Republikës për të reflektuar emocionet që vijnë nga partitë politike. E mirëkuptoj emocionin që vjen nga përfaqësues të opozitës sepse e lidhin pikërisht me të shkuarën e kandidatit për ministër, me aktivitetin e tij në Parlament, me qëndrimet politike që ka mbajtur në raport me opozitën, pra, të gjithë këtë qasje të qyetarëve që janë në opozitë me qeverinë e mirëkuptoj. Por, ajo që më ccudit është fakti që njerëz pranë qeverisë janë të mërzitur me dekretimin e ministrit të Brendshëm. Megjithatë, ndoshta koha në vazhdimësi do ta tregojë se pse janë mërzitur kaq shumë këta njerëz pranë qeverisë”, u shpreh Nishani.

Një ditë pas deklaratës për mediat ku shprehur rezervat e tij për Xhafajn, Nishani përsëriti se do të kërkojë hetim parlamentar për të shkuarën e ministrit të ri të Brendshëm në kohën e diktaturës komuniste, pas dy dëshmive të cilët e akuzojnë atë për tortura fizike në hetuesi.

Z.Nishani, do të doja ta nisnim bisedën nga deklarata juaj e djeshme për atë që sot e dekretuat si ministër të Brendshëm, Fatmir Xhafajn, kur deklaruat se është një kandidaturë e papërshtatshme. Pse është një kandidaturë e papërshtatshme?
Unë edhe dje u mundova t’i përcjell opinionit publik argumentet dhe arsyetimet e këtij konkluzioni tim, si President i Republikës, në dy aspekt, apo le të themi në dy anët e medaljes. Së pari, në kontekstin e zhvillimeve politike në vend aktuale dhe të pritshme. Dhe së dyti, në anën e konfigurimit individual të figurës së personit që vinte si kandidat për Ministër të Brendshëm në vijimësi të kontekstit politik. Dua të rikthehem edhe njëherë tek rëndësia e madhe që ka Ministria e Brendshme në Shqipëri për vetë fushën e përgjegjësive që mbulon, lidhur me funksionimin e Policisë së Shtetit, rendit dhe sigurisë së vendit, lidhjet me pushtetin e drejtpërdrejtë te qytetari përmes pushtetit vendor dhe lidhjes së tij me pushtetin qendror, pra, përmes Prefektit. Ashtu edhe me një sërë çështjesh të rëndësishme që lidhen me procesin zgjedhor që është ai i hartimit të listave të votuesve dhe gjithë infrastrukturës së nevojshme. Konteksti politik është shumë problematik. Jemi në një situatë kritike të një tensioni të eskaluar politik. Opozita është jashtë parlamentit, është në protestë, ka kërkuar si kushte të panegociueshme dhe unë mendoj se jo vetëm por opozitën, por në tërësi për shoqërinë tonë standardi i të pasurit të paktën zgjedhje të lira është i panegociueshëm si standard. Dhe kjo jo se e kërkon opozita por gjithsecili prej nesh, në momentin që kemi hyrë në sistemin pluralist kërkojmë që të kemi kushte të lirisë në ushtrimin e të drejtës së votimit. Pra, kemi një situatë ku policia e shtetit ka pasur dukshëm, demonstruar, edhe për shkak të drejtimit politik të viteve të fundit, politizim problematik dhe jam i gatshëm të jap shpjegime edhe për këtë. Si dhe ka edhe një problematikë të agravuar të individëve pjesëtarë të grupit të krimit të organizuar dhe jo të krimit ordiner të rrugës, në tentativë për t’u përfshirë në politikë dhe për të ndikuar në politikën e vendit. Në këtë kontekst figura e Ministrit të Brendshëm merr një rëndësi akoma më të madhe nga sa e ka në të vërtetë, krahasuar me institucione të tjera të cilat jo se nuk janë të rëndësishme, por kjo ka një specifikë të veçantë. Në këtë situatë, do të duhej Kryeministri pse jo edhe në një konsultë institucionale me Presidentin e Republikës, si një aktor që qëndron jashtë përplasjes politike që vjen dhe agravohet, acarohet edhe më shumë në prag fushate, edhe në situatën konkrete që po kalon Shqipëria, të kishte ofruar një figurë e cila të ndikonte në uljen e tensioneve politike, çtensionimin e situatës së shkëmbimeve politike mes palëve. Por, jo vetëm që kjo nuk u bë, por pas dekretimit, pas shpalljes së emrit nga Kryeministri, patëm dëshmi publike nga individë që kandidati, apo i dekretuari për Ministër i Brendshëm, gjatë kohës së sistemit diktatorial, kish ushtruar dhunë dhe torturë jo vetëm ndaj subjektit që hetohej për një çështje të caktuar, por edhe ndaj familjarëve të tij. Për më tepër që dëshmia publike pasohej me qëndrimin që hetimi dhe kjo dhunë e tepruar vinin për shkak të entuziazmit që kishte shprehur subjekti që po hetohej, për shkak të vdekjes së diktatorit. Në këtë kontekst dhe ajo që ne presim përpara, pra procesi zgjedhor ku duhet të garantohet paanshmëria maksimale dhe krijimi i besimit mes palëve, sepse qeveria ka mandatin e saj legjitim për të qeverisur vendin brenda mandatit që ka fituar nga vota e qytetarëve, përsa kohë do ta ketë mbështetje në Parlamentin e Shqipërisë. Por, procesi zgjedhor nuk është avantazh i një qeverie. Duke ardhur drejt këtij procesi edhe për shkak të situatës, edhe për shkak të këtyre dëshmive që u bënë publike, në gjykimin tim, kandidatura ishte e papërshtatshme. Ndaj, në këndvështrimin tim, nëse Kushtetuta do ia njihte Presidentit të drejtën që të refuzonte kandidaturat për ministra të kabinetit, unë pa asnjë mëdyshje do ta refuzoja dhe do ta ktheja. Por, kjo e drejtë i jepet dhe nuk i njihet Presidentit në Kushtetutë. Presidenti është një përcjellës i dekretimeve për në Parlament dhe është Parlamenti ai i cili miraton ose jo propozimin e Kryeministrit për anëtarin e qeverisë, sepse jemi një Republikë Parlamentare. Unë kam kryer vetëm detyrimin Kushtetues, por nuk mund të rrija pa shprehur shqetësimin tim institucional, me dëshirën e mirë që të shikohet dhe të ketë mundësi për reflektim qoftë nga ana Parlamentit, qoftë nga ana e qeverisë në proceset në vijim.

Shqetësimi juaj bazohet vetëm në dy dëshmi mediatike, apo në cilësinë dhe zyrën e kryetarit të Shtetit keni mundësi të merrni të gjithë informacinin e mundshëm përmes dokumenteve dhe arkivave se çfarë ka ndodhur. Pasi pati dëshmi, por pati edhe kundërdëshmi, pra u relativizua dhe ajo çka thanë ata të dy që akuzuan Xhafajn për torturë…
Nuk kam asnjë relativizim të atyre dëshmive. Ka dëshmi publike të atyre që janë dënuar dhe nuk ka asnjë reagim apo përgënjeshtrim të personit që është akuzuar. Interpretime, komente që mund të bëhen në faqen gazetash apo komentesh, nuk i përgjigjen dëshmisë dhe akuzës së bërë publike. Por, ajo që thoni ju është e vërtetë që këto dëshmi duhen verifikuar. Unë edhe dje e kam kërkuar këtë verifikim dhe kam gjykuar që e vetmja mënyrë për të bërë një verifikim të tillë është të hapet një proces hetimor parlamentar, në mënyrë të tillë që të merren dëshmitë zyrtare nga ana e parlamentit dhe t’u kërkohet institucioneve që janë na varësi të Parlamentit si Prokuroria dhe Ministria e Brendshme, pasi dokumentacioni i pretenduar është dokumentacion i administruar nga kjo ministri, pasi hetuesia në atë kohë ishte pjesë e Ministrisë së Brendshme dhe arkiva e hetuesisë së diktaturës është pjesë e arkivës së Ministrisë së Brendshme. Pra, Presidenti nuk ka kompetenca për të verifikuar dhe hetuar as në veprimtarinë e Prokurorisë, as në atë të Ministrisë së Brendshme.

Dosjen që ju kërkoni për z.Xhafaj të para 30 viteve, do ua sjellë z.Xhafaj?!
Nuk është tagri i Presidentit të kërkojë hetim tek institucionet që nuk varen nga Presidenti. Presidenti i Republikës ka disa institucione të cilave u adresohet për të marrë informacione për kandidaturat për ministra për informacione që kanë të bëjnë vetëm me ato që e lejon Kushtetuta për një ose dy arsye që cenojnë Sigurinë Kombëtare. Këto informacione Presidenti i ka disponuar dhe ky komunikim me institucionet e sigurisë kombëtare nga ana e presidentit për të gjithë kandidaturat që vijnë te Presidenti i Republikës është zhvilluar. Po flasim për dëshmi qytetarësh për ushtrimin e dhunës dhe torturës, pra për dhunim të drejtpërdrejtë të lirive dhe të drejtave themelore të qytetarit. Në çdo kod, edhe në atë kohë, hetimi nuk mund të bëhej në bazën e torturës, nuk ka pasur ligj që mund të torturoje një subjekt për çfarëdolloj hetimi, nuk mund ta torturoje, për efekte të procedurë hetimore. Pra, ky është një proces që edhe nëse Presidenti do të kishte mundësi t’i adresohej Prokurorisë, afatet Kushtetuese janë të tilla që pamundësojnë angazhimin e Presidentit të Republikës. Janë çështje që medoemos duhet të verifikohen nga ana e Parlamentit. Procesi i dekriminalizimit dhe hapjes së dosjeve janë procese që kryhen nga institucionet te tjera. Presidenti, në rastin e emërimit të ministrit ka vetëm një hapësirë për të vlerësuar kriterin Kushtetues të emërimit të ministrit dhe kriteri Kushtetues është ai që barazohet me zgjedhjen e deputetit.

Po në kuadrin e ligjit të dekriminalizimit dhe ca më tepër të Vettingut, pasi nëse një gjykatësi apo prokurori nuk i lejohet të ketë një background të tillë, si mund t’i lejohet një ministri?
Absolutisht nuk mund t’i lejohet. Dhe kjo duhet të fillojë nga Presidenti i Republikës, kryeministri, ministri dhe deri te gjykatësi dhe prokurori. Por këto janë ligjet që kemi sot në fuqi. Për gjyqtarët dhe prokurorët tashmë pas ndryshimeve kushtetuese është parashikuar moslejimi i tyre që janë përfshirë në akte të tilla, por për fat të keq nuk është përfshirë ajo për ministrat.

Pse në opinionin publik pati një perceptim që ju do ta rrëzonit këtë kandidaturë. Pati ndonjë ndryshim gjatë kësaj jave, që nga momenti i dekretimit e deri në momentin e çuarjes së dekretit nga ju në parlament, pati luhatje në gjykimin tuaj apo keni qenë konstantë?
Absolutisht që jo. Nuk e di pse është krijuar një perceptim i tillë, sepse nuk ka pasur asnjë prononcim apo qëndrim nga ana e institucionit të Presidentit të Republikës. Unë nuk kam qenë për disa ditë në vend, për shkak të një angazhimi jashtë vendit, në Azerbajxhan dhe sapo kam ardhur, çështja e parë me të cilën jam marrë ka qenë pikërisht kjo e dekreteve dhe kam njoftuar komunikimin me opinionin dhe median.

Keni pasur kontakte me faktorin ndërkombëtar lidhur me këtë çështje?
Asnjë kontakt nuk kam pasur. Nuk ka arsye që ambasadorë të huaj të kontaktojnë Presidentin për ta orientuar atë si të ushtrojë të drejtat kushtetuese. Në rast se do të binim në një standard të tillë, mendoj se Presidenti i Republikës nuk do mbronte dot dinjitetin e zyrës.

A mund të ishte një formë tjetër, që të konsultoheshit me kryeministrit, p.sh, për 1, 2, 3, 4 arsye kjo nuk shkon. Pse nuk e bëtë?
Kjo është një praktikë që në normalitet, në një logjikë normale, duhet të funksionojë në një shtet dhe duhet të jetë Kryeministri ai i cili duhet të vijë te Presidenti i Republikës dhe për poste të tilla, jo për çdo lloj ministrie. Kjo nuk do të thotë se është e detyrueshme, unë po i referohem logjikës civile, qytetare dhe normale të një shtetin. Por, për ministrin e Brendshëm, ministrin e Mbrojtjes, ministrin e Jashtëm dhe të Integrimit, do të ishte e udhës që Kryeministri të informonte paraprakisht Presidentin, jo t’i merrte leje, por ta informonte për të marrë reagimin e presidentit rreth kandidaturave të cilat ngarkohen për objektiva madhore të vendit sepse janë institucione që kanë të bëjnë me Sigurinë Kombëtare. Përsa kohë Kryeministri nuk e bëri, dinamika në vijimësi tregoi se ne e ndjekim jetën publike dhe politike e institucionale me shumë kujdes. Kryeministri reagoi publikisht kundër dhe i hodhi poshtë pretendimet e dëshmive. Ishte krejt e pavend pastaj që Presidenti të kërkonte Kryeministrin çka do të bënte edhe afatet kushtetuese që kanë të bëjnë me presidentin të tejkaloheshin duke çuar kështu drejt komprometimit kushtetues të Presidentit.

Që nga deklarata juaj ka pasur reagime në rrjetet sociale dhe shumë të djathtë kanë qenë të zhgënjyer nga ky qëndrim i juaji duke e çuar për të dekretuar z.Xhafaj ministër. Madje ka pasur edhe qëndrime të tilla pse nuk e refuzoi Presidenti në mënyrën duke dhënë dorëheqjen…Ju e menduat ndonjëherë këtë?
Nëse unë jap dorëheqjen do të thotë se nuk jam i aftë dhe i zoti të kryej detyrën Kushtetues pikërisht atë që bëra. Unë i mirëkuptoj reagimet e ndryshime. Disa i mirëkuptoj, disa më çudisin. Unë jam në zyrën e Presidentit të Republikës si një institucion që qëndron jashtë reagimeve të partive politike. Nuk jam në zyrën e Presidentit të Republikës për të reflektuar emocionet që vijnë nga partitë politike. E mirëkuptoj emocionin që vjen nga përfaqësues të opozitës sepse e lidhin pikërisht me të shkuarën e kandidatit për ministër, me aktivitetin e tij në Parlament, me qëndrimet politike që ka mbajtur në raport me opozitën, pra, të gjithë këtë qasje të qetarëve që janë në opozitë me qeverinë e mirëkuptoj. Por, ajo që më çudit është fakti që njerëz pranë qeverisë janë të mërzitur me dekretimin e ministrit të Brendshëm. Megjithatë, ndoshta koha në vazhdimësi do ta tregojë se pse janë mërzitur kaq shumë këta njerëz pranë qeverisë.


Përgjigju