Dy vajzat rrëfejnë tmerrin : Na tërhoqi zvarrë , do na fuste në makinë


Një 41-­vjeçar që u arrestua dy ditë më parë për përndjekjen dhe ngacmimin seksual të një vajze në Kamzë, është kallëzuar edhe nga dy vajza të tjera.

Shtetasi Saba Shkoza, që për Policinë konsiderohej person me rrezikshmëri, ka tentuar të abuzojë seksualisht me 25-­vjeçaren me iniciale A.K., në rrugën “Beslidhja”, e cila ka arritur të largohet me vrap dhe e ka denoncuar në Komisariatin nr.5. Por edhe dy vajza të tjera nga Kamza kanë përjetuar të njëjtën frikë si ajo, disa javë më parë nga i njëjti person. Ato janë paraqitur në polici dhe kanë denoncuar 41-vjeçarin për përndjekje e ngacmim seksual, madje kanë thënë se ai ka tentuar t’i fusë me forcë në makinë, por u kanë ardhur në ndihmë kalimtarët.

Shkoza, familja e të cilit jeton në fshatin Priskë të Tiranës, që pas daljes nga burgu u zhvendos të jetonte në Kamzë, për shkak të problemeve që kishte me banorët, nisur nga e shkuara e tij problematike. Edhe pasi rifitoi lirinë, ai u procedua disa herë nga Policia për vjedhje. Ndërsa më parë, në vitin 2008, ka qenë i arrestuar për pengmarrje dhe është dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Më 9 shtator 2008, shtetasi i rrëmbyer Y.Seferi ka denoncuar në Policinë e Tiranës se për 9 orë është mbajtur peng nga një person që më vonë u identifikua si shtetasi Saba Shkoza. Më datën 8 shtator, Seferi, pasi ka mbyllur makinën pranë një restoranti në rrugën e Dajtit, është përballur me Saba Shkozën me një automatik në dorë dhe të veshur me rroba kamuflazhi, i cili e ka urdhëruar të ulet në tokë ose përndryshe do ta vriste. Pasi e ka kontrolluar për para nëpër xhepa, i ka hequr lidhëset e këpucëve dhe me to i ka lidhur duart dhe e ka detyruar të futet në pyll. Pasi ka ecur për 8 orë nëpër pyll, autori me pengun kanë mbërritur në fshatin Selbë të kryeqytetit, ku i ka telefonuar të vëllait të viktimës duke urdhëruar që brenda 30 minutave të sjellë 100 mijë lekë të rinj, në të kundërtën nuk do ta shihte më vëllanë. Paratë janë grumbulluar nga i vëllai i pengut me iniciale E.S. dhe kushëriri i tyre F.S., të cilët, pas telefonatës së dytë nga pengmarrësi, kanë shkuar në fshatin Përcellash, ku i kanë dorëzuar paratë dhe kanë marrë vëllain e tyre Y.Seferi. Më pas autori është larguar me vrap në mal dhe është arrestuar rreth një muaj pas ngjarjes.


Përgjigju