Gent Bejko: Ika sepse në Shqipëri nuk pashë njeri të bëjë hajër me ndershmëri


Gent Bejko, i njohur në Shqipëri si aktor edhe pse i diplomuar për regjisor prej më shumë se një viti ka emigruar së bashku me familjen në Kanadanë e largët.

 I integruar mirë në rrethet artistike në Montreal, Genti ka gjetur qetësinë për veten dhe familjen. Jeta është  një luftë e përditshme në çdo cep të botës, por të paktën, në disa vende lufta nuk të shkon dëm.  Kjo po i ndodh edhe Gentit, i cili vendosi të kërkojë një vend tjetër për të zhvilluar punën dhe pasionet e tij.

“Kanadaja më dha disa mundësi më shumë familjare, shoqërore dhe profesionale. Me jep qetësi dhe më ka bërë më krijues. Më ka hapur sytë për të kuptuar që bota është shumë më e madhe dhe se njeriu duhet të jetojë për veten dhe jo për të tjerët”, thotë Bejko për Dita-n.  Aktori dhe regjisori i cili ka luajtur në disa filma, shumica e mbajnë mend për rolet e veçanta në spektaklin e humorit “Portokalli”.

Vitet e fundit njerëzit po kërkojnë gjithmonë e më tepër të largohen për të provuar e për të jetuar në një vend të huaj. Ka nga ata që përshtaten shumë mirë, ka të tjerë që nuk ia dalin dot dhe kthehen sërish atje ku e lanë, në vendin e tyre.

Për të kuptuar se çfarë ka ndodhur me Gent Bejkon, pse vendosi ai të “braktisë” Shqipërinë dhe aktivitet e tij këtu, për t’u hedhur në një tjetër hapësirë tokësore dhe kulturore, Gent Bejko rrëfehet në këtë intervistë për Dita-n…

-Genti, pse ike?

U ndikova shumë nga letërsia e rilindasve të vërtetë të cilëve iu prehen kockat në Amerikën e Veriut. Ika vetë nuk më ndoqi njeri. Se të më kishin ndjekur, mbase dhe do kisha ikur më shpejt.

-Sa kohë ke që je vendosur aty?

Mjaftueshëm besoj. Aq sa për t’u ndjerë si në shtëpinë time.

-Genti për ty nuk ishte herë e parë largimi pasi ke patur eksperienca të mëparshme në Kanada…

Kisha mbi 12 vjet që jetoja midis dy vendeve. Jam rikthyer shpesh në Shqipëri për shkak të projekteve dhe punëve të ndryshme. Këtë radhën e fundit vendosa të që impenjohesha këndej më shumë. Kërkoja pak më tepër aventurë profesionale dhe mendoj se e kam gjetur dhe jam rigjeneruar. Plus shpesh dëgjoja opinione se humori im ka qenë gjithmonë pak anglez,  kështu që u vendosa në një provincë Frankofone (qesh).

-Me se po merresh aty? Po punon në profesion apo punë të tjera që nuk kanë lidhje me artin?

Momentalisht jam duke punuar në një shfaqje teatrore, si aktor. Kjo është shfaqja e tretë teatrore në të cilën luaj. Kam luajtur në disa produksione kanadeze dhe amerikane. Plus drejt finalizimit të dy projekteve ambicioze për të cilat kam kohë që merrem. A bëj punë të tjera? Sigurisht që po. Puna nuk është asnjëherë turp. Madje bëj një punë që më ndihmon me njërin nga projektet që, siç i thonë nga anët tona: me një gur të vras dy traktorë!

-Ka qenë e vështirë përshtatja, pasi këtë herë je me familjen?

Për këtë duhet pyetur familja. Deri tani shoh se janë përshtatur çdo ditë e më shumë me jetën e këtushme. Ka më shumë mundësi të jetosh dhe të mendosh më shumë për veten këndej mendoj…

-Si u fute ne rrethet artistike aty, ishte e vështirë?

Po gjëja e parë ishte gjetja e një agjenti i cili merret dhe punon me dhe për ty. Paralelisht u pranova dhe në ACTRA (Alliance of Canadian Cinema, Television and Radio Artists) si anëtar me të drejta të plota, çka ndihmon dhe shpesh të jep një lloj prioriteti në kontratat filmike në vazhdimësi, ndërkohë që pjesa teatrore në të cilën luaj është nominuar për çmimet META (Montreal English Theatre Aëards) si të thuash… të luash në Ligën e Profesionistëve. Mendoj se deri tani, duke pasur parasysh edhe moshën apo vështirësitë e gjuhës, jam ndjerë tejet i vlerësuar nga kolegët apo produksionet e këtushme.

-Në cilin qytet jetoni dhe si është rutina ditore aty?

Montreal. Është një qytet metropolitan, i treti për nga madhësia e qyteteve Kanadeze. Është një qytet tipik ku përzihet Europa me Amerikën e Veriut dhe çdo lloj kulture tjetër dhe nëse je artist, ky është qyteti i duhur për të jetuar. Këtu gjithsekush vjen nga diku tjetër. Pra koncepti i të qenit emigrant zhbëhet shpejt.

-Ju Genti ishit i angazhuar edhe këtu, po çfarë nuk shkonte… çfarë ju mërziste ne realitetin tonë?

Nuk është se ika nga mërzia. Ngado të shkosh mund të mërzitesh një ditë. Ika se desha më shumë. Fatkeqësisht në vendin tonë llafet e shumta dhe puna e pakët, prostituimi politik dhe llumi i tepërt që çdo ditë e më shumë tregon se është ajka e një vendi ku njerëzit heshtin kur s’duhet dhe flasin kur s’duhet, është bërë rutinë. Por të gjitha sa them më sipër si gjithmonë do të gjykohen mbrapsht.

Tingëllojnë më bukur nga goja e ambasadorëve të huaj në Shqipëri arsyet pse largohen shqiptarët nga Shqipëria.

-Si janë marrëdhëniet njerëzore këtu në Shqipëri?

Nuk e di. Thuajse i kam harruar. Fatkeqësisht kam kuptuar se shumica jetojnë për të tjerët më shumë sesa për veten. Këtu fillon defekti, ndoshta. Edhe modelet që përzgjidhen të ndiqen dita-ditës, tregojnë vazhdimësinë e marrëdhënieve njerëzore. Në Shqipëri nuk mungojnë marrëdhëniet njerëzore, ato thjesht keqdrejtohen e keqpërdoren dita-ditës. Personalisht mundohem të jem një shqiptar i vlefshëm dhe mbi të gjitha njeri-model për fëmijët e mi.

-Pse ndodh kjo?

Gjithçka është shndërruar në materializëm dhe interes, mbase. Çdo ditë e më shumë truri i shoqërisë bombardohet me informacione boshe ose me idhuj që nuk thonë asgjë, ndoshta. Ne jemi fajtorët kryesorë.

-Mos ndoshta ndodhin këto se jemi një vend i vogël, ku të gjithë e njohim njëri-tjetrin… apo thjeshtë nuk duam t’i shohim të tjerët mirë?

Më tepër sesa vend i vogël, jemi një vend që çuditërisht prodhojmë maska të jashtme me shumicë. E më ironiken? Shumica e shqiptarëve që jetojnë jashtë kur i takon këshilla e parë që të japin në konfidencë është: Mos rri me shqiptarët! Ndoshta kjo ndodh sepse ne vazhdojmë të vetëmburremi për atribute të cilat nuk i  kemi më. Shtiremi si pasardhës të besës e mikpritjes, por deri më sot e kemi mbushur historinë me pabesi. Hiqemi për fisnikë e trashëgimtarë të një kulture shekullore kur në realitet kopjojmë shëmtuar çdo gjë që kemi parë nga fqinjët tanë ( vdesim të bëjmë pak si italianë (qesh)

-Çfarë është ndershmëria sipas jush?

Virtyti më i dëmshëm për kohët kur jetojmë. Dhe maska më e mirë që deklarojnë batakçinjtë aktualë.

-Ja vlen të jesh i ndershëm në Shqipëri  apo duhet të zgjedhësh formën e gatshme që të ofron ky vend për të qenë batakçi?

Prej kohësh duket sikur tashmë Shqipëria po përkufizohet vetëm me Tiranën. Për sa kohë jetova në Tiranë, rrallë pashë të bëjë hajër njeri me ndershmëri. Batakçinj pastaj ke sa të duash. Madje me larmishmëri modelesh.

-Ju, në një intervistë të pak muajve me parë thatë një gjë interesante që, këtu njerëzit mendojnë se ka gjithmonë diçka pas perdes, ndërkohë që mund të mos ketë asgjë fare, por ja që ata dyshojnë… mund të na e shpjegoni më shumë rreth kësaj situate?

E kam thënë gjithmonë. Shpesh e kam parë veten mes situatash të tilla. Madje kam pasur edhe raste kur paranojakë më kanë quajtur mua paranojak. Shpesh kanë dashur të më bëjnë pjesë intrigash të kota apo të më kategorizojnë në grupime interesash të kota. Dhe shumë faktorë të tjerë. Maçoku në bark i bën zakonisht këto lojëra te njeriu, por nuk janë të gjithë kështu, të kuptohemi.

-Megjithatë, të mungojnë kafenetë si këtu në Shqipëri?

Jo. Madje është pjesa që më mungon më pak. Sepse sindroma e kafeve të kota, apo e çdo pune që bëhej në to, ka qenë pjesa më e mërzitshme ditore e imja.

-Vendimi për t’u larguar ishte i menduar, apo ndodhi diçka dhe ju thatë atë fjalinë e “famshme”: këtu është për të ikur natën, jo ditën?

Se mos e kam thënë vetëm unë!  Përtej shakave, kam dashur gjithmonë të bëj diçka më shumë. Shpesh dëgjon shprehjen: bëre mirë sidomos për fëmijët, them se nuk duhet hequr dorë nga të bërit mirë në përgjithësi sidomos për veten. Plus kërkoj më shumë sesa një pension qesharak apo dekoratë nga Presidenti i Republikës si për pleqëri me thënë të drejtën.  Uji që rri shumë në një vend…thotë populli…

-Të mungojnë miqtë?

Po. Sigurisht. Madje ikja është një tregues real i atyre që kane qenë e janë vërtet miqtë e tu.

-Ishin më shumë të rrethit të artit apo jashtë tij?

Nga të dy krahët, por më shumë jashtë fushës. Miqtë e vërtetë nuk janë ata të cilët kujtohen ose jo të të shkruajnë apo telefonojnë. Miqtë e vërtetë janë vetëm ata të cilët të gjenden dhe u gjendesh, kur ti ke nevojë për ta. Dhe këta janë të rrallë.

Pse nuk funksionojnë miqësitë në të njëjtin profesion?

Nuk është e thënë. Por nuk duhen ngatërruar marrëdhëniet e punës apo shoqëria e interesit me miqtë e vërtetë. Në punë ka xhelozi, ka ambicie, prapaskena e skema. Është mese normale që të jetë më pak funksionale.

-Me çfarë qarkulloni aty, e keni marr motorin tuaj të dashur me vete?

E kam. Momentalisht po fle se është pak si ftohtë, por e zgjoj herë pas here.

-Është vendi ku jeton një vend i mirë për të rritur fëmijët?

Personalisht mendoj se po. Është një nga vendet më sociale në botë.  Fëmijët janë përshtatur mirë. Madje gjej rastin të këshilloj disa portale mediatike që të mos publikojnë foto të fëmijëve tanë apo vjedhin e keqinterpretojnë statuse tonat. Aq më tepër pa lejen tonë. Fëmijët tanë nuk kanë pse të lexojnë çdo lloj idiotësie që mund të thuhet për ne, apo e kam gabim?

-Kur mendoni të ktheheni në Shqipëri?

E kam thënë edhe më parë: Asnjëherë mos thuaj kurrë. Sigurisht që mund të kthehem… për ndonjë projekt apo për familjarët e mi. Për të jetuar momentalisht po na shijon jeta këndej. Tek e fundit jemi qytetarë të një bote të lirë e të rrumbullakët, apo jo?/


Përgjigju