Kush po i vret shqiptarët, pa luftë, por me një bilanc lufte çdo vit?


Ditën e sotme gazetari Denis Dyrnjaja ka postuar një shkrim në adresën e tij në Facebook, ku tregon për vdekjen e një personi rreth të 40-ve, i cili  nuk ia doli dot luftës me kancerin.

Më tej Dyrnjaja tregon se kur personi në fjalë kishte shkuar të kurohej në Itali, mjekët kishin pohuar se shumë raste të tilla vijnë nga Shqipëria si dhe e kishin pyetur konkretisht nëse punonte në ndonjë fabrikë, por jo ai punonte në bankë.

Ky është shkrimi i plotë i gazetarit:

Ishte te 40-at. Ndoshta kishte arritur të fitonte betejat më të rëndësishme në jetë, por nuk fitoi dot betejën më të rëndësishme atë për jetën. Jo për fajin dhe shkakun e tij në fakt. Kanceri e mundi. Por ky nuk është më lajm për shqiptarët. Mjekët onkologë italianë ndërsa përpiqeshin të ndryshonin fatin e jetës së tij kishin konstatuar se ai kishte rrezatim të lartë radioaktiv në trup. Dhe e pyetën: punon në ndonjë fabrikë apo jeton pranë ndonjë zonë me rrezatim dhe pergjigjia që morën i habiti. Punoj në një bankë në qendër të Tiranës. Ata thanë se nga Shqipëria po kurojnë raste me lloje të rrallë kanceri. Kush po i vret shqiptarët, pa luftë, por me një bilanc lufte çdo vit? Ushqimet, ajri i ndotur, uji i pijshëm, produktet e tjera të konsumit të përditshëm, ilaçet e dyshimta, materialet që përdoren për ndërtimin e banesave ku jetojmë, antenat celulare që na rrethojnë ngado?! Por derisa s’ka kush t’iu japë një përgjigje të bazuar dhe provuar siç duhet këtyre pyetjeve do vazhdojmë të presim e të shohim njëri tjetrin si vdesim.”


Përgjigju