Lajm i mirë për depozituesit, fillojnë të rriten normat e interesit në lekë


Që kur ka filluar ulja e normave të interesit për depozitat me afat në lekë, individët kanë larguar nga bankat mbi 750 milionë euro …

Viti 2017 mund të sjellë më shumë fitime për të gjithë individët apo dhe bizneset që kanë depozitat në lekë në banka. Normat e interesit të depozitave për disa afate maturimi kanë shënuar rritje të fortë në nëntor, sipas statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë.

Për depozitat me afat maturimi 1-mujor, norma mesatare e ponderuar mujore e depozitave të reja në lekë të korporatave jofinanciare, individëve dhe institucioneve jo me qëllim fitimi që u shërbejnë individëve u rrit nga 0.62 në 0.91%, duke arritur nivelin më të lartë në më shumë se një vit. Në dhjetor 2015, depozitat 1-mujore kishin një kthim prej vetëm 0.15%.

Në rritje kanë qenë dhe depozitat 6-mujore, nga 0.47% në 0.74%.

Interesi mesatar për depozitat e reja 12-mujore ka mbetur i pandryshuar, në 0.69%.

Rritjen më të fortë e kanë shënuar depozitat 48-mujore, që kanë arritur në 2.89%, duke u rritur me 1.16 pikë përqindje.

Në rënie të lehtë kanë qenë normat e depozitave 24, 36 dhe 60-mujore.

Për vitin 2017 pritet që interesat e depozitave të fillojnë rritjen, të orientuara nga shtrenjtimi i yield-it (interesave) të bonove të thesarit, që shërbejnë si referencë për tregun. Në ankandin e fundit të vitit të kaluar, yieldi i bonove 12-mujore kërceu në 3.22%, me një rritje të ndjeshme në krahasim me janarin 2015, kur ishte 2.11% dhe nivelin më të ulët të 2016-s prej 1.22% që arriti në korrik.

Normat e ulëta të interesit të depozitave vitet e fundit (teksa Banka e Shqipërisë ka mbajtur një politikë monetare të lirë, duke ulur koston e parasë dhe duke çuar normën bazë në 1.25%) kanë bërë që kryesisht individët të tërhiqnin depozitat me afat 12-mujor nga bankat dhe t’i kalonin ato në bono thesari, maturitete më afatgjata, ose dhe të rrezikonin me platformat e tregtimit online, paratë me fajde ose investime të tjera.

Në nëntor 2016, depozitat në lekë ranë me 8 milionë euro me bazë mujore, teksa individët vijuan të zbrazin depozitat me afat në lekë, të dekurajuar nga normat e ulëta të interesit që janë afër zeros. Depozitat me afat në lekë u ulën sërish me rreth 17 milionë euro. Ato kanë vijuar tkurrjen për të 40-in muaj radhazi (që nga shtator 2013), duke u reduktuar me rreth 750 milionë euro për periudhën në fjalë.

Një rritje e normave të interesit të depozitave në lekë do të kthente sërish kursimtarët në banka përgjatë këtij viti.


Përgjigju