“Marubët e Zotnijve”/ Shfaqen në SHBA imazhet e rralla të riteve shqiptare


Nji “zyrë e gjanave të humbuna”- aty gjenden martesa, fejesa, pagëzime, krezmime; deri te retushi, si dhe imazhe që zakonisht nuk shfaqen, njerëz me plagë a të burgosur.“Ata kjenë thirrë ‘Marubët e zotnijve’, por siç e dimë, nuk fotografuan vetëm zotnijtë. Në arkivë, përbri fotografive të njerëzve të njoftun e të pasun, gjejmë shumë të tjera të njerëzve të thjeshtë, edhe të varfënve e lypsave që na shfaqin nji këndvështrim tjetër të Marubëve”.Zef Paci, është kurator i ekspozitës “Marubi Life in Images”, që qëndron e hapur nga 17 marsi deri më 17 korrik 2017 pranë “GR Art Gallery”, në Stamford, Connecticut të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Martesa e Pal Kokës”, Gegë Marubi, 1943; “Vaporr afër molës e doganës”, Kel Marubi, 1913; “Fëmijë vetëm”, Kel Marubi; “Nga funerali i John M. Gillatt”, Kel Marubi, 1937; “Fratel Sala, punimet”, Gegë Marubi, 1939; “Ilhami Abdullah Shandhizade – grup”, Gegë Marubi, 1931- janë vetëm pesë prej imazheve të rralla që ekspozohen duke përçuar njerëz, vende e kohë të Shkodrës së fillimshekullit të 20-të para një publiku që me gjasë, nuk e njeh atë në kontinentin e largët.I pyetur nga “GSH” se çfarë ekspozohet, Paci sqaron se janë vendosur disa fotografi historike që kanë të bëjnë me gjendjen e Shkodrës mbas shpalljes së Pavarësisë (më 1914). E ndarë në katër hapësira, në të parën janë “ato që imazhe krijojnë njëfarë narracioni (shkak-pasojë) duke na ofruar të dhënat e veta, ndoshta të përjetuara ndryshe prej asaj çka mund të na japë një libër historie”, shton Zef Paci.

Mandej, në një hapësirë të dytë (salla më e madhe) ekspozohet në dy muret anësore; përkatësisht njëra fasadë, njëfarë cikli i jetës së shoqëruar nga rite të ndryshme njerëzore (lindje, pagëzime, synete, krezmime, fejesa, martesa, vdekje, funerale) e fasada tjetër ka aktivitete njerëzore (tregti, zanate të ndryshme etj.). “Në fasadën ballore, ndërmjet ritualeve e aktiviteteve njerëzore një vazhdë fotografish të Marubëve që ndjekin disi një rend kronologjik na flet për jetën e tyre. Hapësira e tretë – që është hapësira e ashensorit e prandaj më e pazakontë- është përdorur për fotografinë si diçka magjike e ndonjëherë edhe indiskrete (ekspozohen imazhe ku ndihet trilli i fotografit në lojën me subjektet, kohën e ekspozimit, retushin si dhe të gjërave që zakonisht nuk shfaqen, njerëz me plagë, të burgosur). Hapësira e katërt është një sallë ku janë ekspozuar njerëz dhe peizazhe (people & places)”, sqaron Zef Paci.

“ZYRË E GJANAVE TË HUMBUNA”

Paci shënon se, vit mbas viti, studioja kishte pas krijuar arkivën e vet. “Dritëshkroja Marubi” ishte bërë sipas tij “nji mbledhëse e ruajtëse imazhesh, nji ‘zyrë e gjanave të humbuna’. Kishte nji thelb të vërtetë në to duke pasë ngri brenda vetes edhe drithmën e jetës. E shtangun, ajo na shfaq njerëz, kohë e regjime të ndryshme të vendit, e përthyeme në lentet përfshirëse e përjashtuese të tre brezave të Marubëve na shfaq formimin, edhe botkuptimin e tyne”.Në këtë pikë, është me vend të kujtohet se më 1970, ky arkiv i dhurohet shtetit prej Gegë Marubit. Edhe fotografët e tjerë shkodranë i bashkohen ‘nismës së tij’. “Zgjedhja e tij ishte një farë zgjidhjeje. Duke mos mujtë me kenë ma pronari privat i arkivit të Marubëve, të paktën bahet përgjegjësi shtetnor i tij. Deri në fund të jetës së tij u mor me plotësimin dhe arkivimin e fondit të Fototekës që mbante emnin e familjes së tij. Kështu rrodhi jeta e tyne e përgiatë saj, ata punuan në studio e jashtë saj duke fotografue ngjarje e aktivitete të njerëzve, ritet e tyne si lindje, pagëzime, synete e krezmime, fejesa, martesa e funerale duke na sjellë aspekte të ndryshme historike, sociale e antropologjike në nji fotografi dokumentare e artistike. Prej fondit të arkivit kuptojmë se në kohë ka pasë praktika e ekspozime të ndryshme”, thotë kuratori Zef Paci. Ai thekson se secila prej “tyne pohon mendimin se aty nuk mund të ketë nji përkufizim të vetëm gjithpërfshimës të fotografisë”.

Ekspozita në SHBA, duke shfaqur një pjesë të vogël të kësaj trashëgimie të paçmueshme, na tregon rreth shtigjeve të historisë nëpër të cilat kaloi vepra e tyre si fotografë. “Në larminë e tematikave, ndjek vështrimin e fotografëve, rendjen e tyne mbas jetës që nëpërmjet fotografimit shtangnin rrjedhën e saj herë në ngjarjet e rëndësishme e herë në të përditshmen, duke shpalosur kështu, përveç fakteve reale, edhe shijet e preferencat e tyne. Për këtë ekspozitë janë përzgjedhë njerëz, vende, ngjarje që rrinë këtu jo doemos për rëndësinë e tyne historike, po për gjetjen e fotografit me nji kompozim të kërkuem, me gjeste domethanëse, nën nji dritë të caktueme (ku na shfaqet nji botë e pasur psikologjike që i përket sa subjektit aq edhe vështrimit të fotografit)”, shkruan Zefi. Sipas tij, këto fotografi na kujtojnë se është më e rëndësishme të shohim se çka na zbulon e na vë përpara fotografia, sesa çka kërkojmë prej saj. “Ajo çka shfaqet, flet jo aq për ecurinë teknologjike e historike të fotografisë në Shqipëri, sesa për nji rrugëtim ku kureshtja, pasioni dhe mjeshtria e këtyne tre fotografëve takohen me nji botë të pasun njerëzore, me nji larmi ngjarjesh, ritesh e peizazhesh që mbesin të fiksume para syve tonë për të dëshmue rrjedhën e nji jete që kaloi aty duke lanë mbas gjurmën e saj”, thotë kuratori shkodran Zef Paci.

 


Përgjigju