Mustafa Nano: Pse dua të shkoj në çadër, çfarë do u them për Berishën, Palokën e Strazimirin


Publicisti Mustafa Nano, njëkohësisht edhe një nga kritikët më të fortë të ish-kryeministrit Berisha, i kërkoi publikisht kreut të PD-së, Lulzim Basha, të jetë edha ai pjesë e çadrës së demokratëve.

Në një komunikim direkt gjatë emisionit “Top Story” të gazetarit Sokol Balla në “Top Channel”, Nano i kërkoi kreut të opozitës të jetë pjesë e çadrës për të thënë disa të vërteta që përgjatë këtyre 17 ditëve nuk i ka dëgjuar të thuhen nga pjesëmarrësit dhe intelektualët që kanë qenë pjesë e saj.

“Ju keni ngritur atë çadrën aty dhe ajo çadër është kthyer edhe në njëlloj pelegrinazhi. Vijnë edhe intelektualë publikë dhe thonë mendimin e tyre. Duke qenë se është çadra e lirisë: A ka hapësirë aty që të vij edhe unë të them nja dy fjalë, i shoqëruar nga ju? Sigurisht të solidarizohem me shqetësimin tuaj lidhur me zgjedhjet, sepse zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë një gjë absolute në Shqipëri, por ka 26 vite që janë aty. Të solidarizohem edhe me kauzën tuaj, por dua të them disa “por” të rëndësishme dhe dua që të m’i dëgjojnë demokratët. Sepse nuk ka qenë asnjë zë që të ketë thënë gjërat që unë dua të them aty. Besoj që kam shumë gjëra të rëndësishme për të thënë”, deklaroi Nano.

Shprehja e interesit nga analisti i njohur u përkthye në një ftesë nga kreu i demokratëve Basha, i cili garantoi se krahas atyre që do të thotë, Nano të jetë i hapur edhe për të dëgjuar dhe për të dialoguar me demokratët.

“Ke qenë një kritik i palodhshëm i Partisë Demokratike në 8 vite të qeverisjes dhe kjo të nderon. Ke qenë një kritik i PD-së edhe në opozitë, por kjo nuk të turpëron. Se çdo njeri ka lirinë e tij të japë mendimin e tij në demokraci. Ne për këtë luftojmë që, edhe kur s’jemi dakord me asgjë me ty, t’i të kesh lirinë ta thuash, mos të kesh frikë as nga kriminelët, as nga qeveria, as mos të të mbyllin gojën me ndonjë shuk parash. Ky është ideali i Republikës së Re, ky është standardi europian me të cilin unë jam formuar në vitet e mia të rinisë dhe luftoj që sot ta kem në Shqipëri. Dhe, natyrisht, në emër të këtij standardi je i mirëpritur dhe do të garantoj të gjitha kushtet të vish këtu, të flasësh, të japësh mendimin tënd, por sigurisht edhe të dëgjosh në një dialog të ndërsjellë, të civilizuar.

Në një debat të vërtetë, siç i ka hije këtij sheshi të lirisë, kësaj çadre të lirisë. Kështu që më thuaj kur je gati të vish. Do të garantoj të gjitha kushtet që të vish këtu dhe të shprehësh mendimin tënd”, deklaroi Basha.

“Panorama” kontaktoi me publicistin Mustafa Nano për të mësuar më shumë mbi të vërtetat që ai vetë kërkoi të thotë në çadrën e demokratëve. Sipas Nanos, demokratët duhet të jenë koshientë dhe përgjegjës për atë që ka ndodhur në Shqipëri në këto 26 vite.

Publicisti në një intervistë rrëfeu se do t’u kërkojë demokratëve të ndërtojnë një komunitet të lirisë dhe të garës brenda Partisë Demokratike, duke u ndarë nga lidershipi i vjetër që ka 26 vjet në krye të PD-së.

INTERVISTA

Z.Nano, ju deklaruat në “Top Story” se doni të shkoni në çadër sepse keni një mesazh për demokratët, çfarë doni t’u thoni?

Do t’u them që shqetësimi për zgjedhjet është gjenuin, dhe që meriton mbështetje, e që kanabizimi i vendit më duket i frikshëm për më shumë se një arsye, por do të shtoj edhe një “por” shumë të rëndësishme. Do t’u them demokratëve se ata kanë përgjegjësi të jashtëzakonshme për këtë që ka ndodhur në Shqipëri në këto 26 vite. Edhe atë operacionin që duan t’i bëjnë Shqipërisë, siç thotë Basha, duhet t’ia bëjnë në radhë të parë partisë së tyre. Do t’u them të ndërtojnë një komunitet të lirisë, ku të ketë liri mendimi, ku të ketë garë, ku kryetar i Grupit Parlamentar të mos bëhet ai që është më i fortë, por ai që është më i mençur, do t’u them t’i kërkojnë një ndjesë të madhe publikut shqiptar për të gjitha mëkatet e rënda që kjo parti ka mbi shpinë, do t’u them që të distancohen urgjentisht nga lidershipi i vjetër. Nëse kjo parti nuk e bën këtë gjënë e fundit, ajo nuk ka besueshmëri për asgjë, ajo nuk ka asnjë kartë fituese në këtë mes, ajo nuk ka asgjë që ta dallojë nga maxhoranca. Përkundrazi, mund të ketë gjëra që e dallojnë për më keq, e që i bëjnë shqiptarët të mendojnë se “jemi mirë me këta që jemi”.

Për çfarë bashkohesh me Bashën? Pse do të jesh në çadër?

Siç e thashë, shqetësimi për zgjedhjet e lira dhe të ndershme është edhe i imi, dhe ka qenë gjithnjë i imi, edhe kur Basha merrte mandatin e kryebashkiakut të Tiranës si rezultat i trukimit të zgjedhjeve me firmat e Ristanit. Po kështu, është i imi edhe shqetësimi mbi kanabizimin e vendit, apo mbi horrat që Rama ka zgjedhur për partnerë në politikë, por Basha të mos mendojë se të vetët, Paloka, Strazimiri, Noka etj., janë më pak horra, ngaqë biografinë penale e kanë të pastër.

Mendon që Basha do t’i qëndrojë ftesës për ju dhe kjo ngjarje do ndodhë?

Nuk e di nëse do të ndodhë. Basha aty ishte dakord, por nuk e di nëse do t’i qëndrojë. Mund të ketë arsye të mos e shohë të dobishme praninë time aty. Por nëse Basha më merr në telefon edhe më thotë “po, hajde, je i mirëpritur”, unë do ta marr këtë si një gjë shumë të rëndësishme e pozitive, si një moment të lezetshëm hapjeje të një partie, e cila ka qenë një garnizon për 26 vite. Të kuptohemi, kërkesa ime për të shkuar atje nuk ka lidhje me ndonjë qejf timin për të folur me një audience që nuk më ndjek dot, apo që nuk do të më dëgjojë. Ky është një test që unë dua t’i bëj partisë së Bashës. Nëse është e Bashës.


Përgjigju