Në Tokën e Kampionëve, Salihi zbulon ‘sekretin’ e Shkodrës


Është Izmir Smajlaj emri i momentit në Shqipëri, prodhimi i fundit shkodran, që na ka veshur në ar në Europianin e atletikës. Më parë kemi pasur plot sportistë me emër nga Shkodra, në peshëngritje, mundje e shumë sporte të tjerë, pa harruar natyrisht futbollin, që e ka “djepin” pikërisht në Shkodër. Një produkt tjetër i famshëm i Shkodrës, Hamdi Salihi, na shpjegon në këtë intervistë se çfarë fshihet pas këtij burimi të pashtershëm talentesh…

– Hamdi, ju jeni shqiptari që keni shënuar më shumë gola në historinë e futbollistëve të këtij vendi dhe nga qyteti ku vini ju, Shkodra, sukseset sidomos sportive janë një modë. Izmir Smajlaj sapo është shpallur kampione Europe në kërcim së gjati, një tjetër konfirmim se në Shkodër diçka ka, që arrihen rezultate të tilla?

– Kjo është një temë shumë interesante dhe shumë e gjerë për t’u diskutuar. Faktet janë ashtu si thoni ju. Qyteti im i lindjes në sport, jo vetëm në futboll, ka prodhuar gjithnjë kampionë të mëdhenj. Kemi një sens protagonizmi të pabesueshëm, por kam përshtypjen që kjo nuk ndodh vetëm në sport. Art, kulturë, teatër, madje deri në politikë jemi protagonistë.

– Ju si e shpjegoni?

– Nuk ka një arsye fikse. Shumëkush mendon se ne rritemi me ndjenjën e sfidantit për kryeqytetin, por nuk është kështu. Në futboll ka ndodhur shpesh, që sfidat me Tiranën e Partizanin kanë qenë të nxehta, por kjo më shumë ka ndodhur se njerëzit në Shkodër shpesh janë mërzitur që kampionët e mëdhenj që lindin në Shkodër bashkoheshin për të luajtur në kryeqytet. Por fakti që jemi kaq fitues ka të bëjë për mendimin tim me dy arsye. E para është gjenetike, një gjë e trashëguar. Sporti në veçanti është një kënaqësi e madhe në atë qytet. Më pas besoj se gjërat atje merren seriozisht. Nëse dikush vendos të bëhet futbollist, të gjithë rreth tij, familja e miqtë përkushtohen shumë që të arrihet qëllimi final. Jo vetëm në sport, por kjo ndodh në çdo fushë. Nëse dikush vendos të bëhet këngëtar, i shkohet gjithnjë gjer në fund. Më pas thonë që është dhe toka. Talentet lindin diku.

– A e njihni personalisht Izmir Smajlajn?

– Familja e bashkëshortes sime ka qenë gjithnjë shumë pranë shumësportëshit në Shkodër, madje deri në nivel drejtues. Personalisht nuk e njoh, por prej kohësh emrin e tij e kam dëgjuar të qarkullonte në ambientet sportive. Shumë njerëz në Shkodër ishin të bindur që ai do bëhej i madh, sepse nëpër stërvitje arrinte rezultate të pabesueshme. Atletika dhe sidomos kërcimi së gjati është një sport i vështirë. Nuk ka shumë kushte për të punuar. Jam i lumtur për rezultatin e tij. Mendoj që është ajo që thashë më sipër. Nëse dikush në Shkodër vendos të bëjë diçka, ka egon e duhur për ta dërguar deri në fund.

– Ai nuk është i vetëm. Më parë ka qenë Qerimaj në peshëngritje, Guri në mundje. A janë kushtet e duhura, që këta sportistë të zhvillohen?

– Në çdo fushë të jetës mendoj se në Shqipëri mund të bëhet më shumë dhe më mirë. Nuk është e rëndësishme të fillojmë të ndajmë pushtetet apo fajtorët. Të gjithë e dimë, që jemi një shtet dhe një vend i varfër dhe në këto kushte sporti vuan gjithnjë. Megjithatë, në rastet që ju përmendët apo në ndonjë tjetër, është e thjeshtë që talentet e mëdha të evidentohen më shpejt, sepse dihet kush janë dhe të investohet diçka më shumë tek ata, që të kemi sa më shumë rezultate të mira në nivel kombëtar. Besoj që kaq mund të bëhet.

– Sidomos në futboll Shkodra ka qenë gjithnjë në pararojë…

– Ju e dini dhe nuk është një sekret, që në Shkodër futbolli ka qenë gjithnjë i rëndësishëm. Që nga ballkaniada e parë, ku kapiten ka qenë një shkodran, Loro Boriçi, e deri tani këtu kanë lindur kontribuues të mëdhenj të skuadrës kombëtare dhe gjithnjë ka pasur emra të rëndësishëm.

– Ju jeni shënuesi më i mirë i gjithë kohërave në futbollin shqiptar, Sinani shënuesi më i mirë i gjithë kohërave në kampionat, Hysaj që sot është një lojtar i madh e luan me Napolin ka lindur këtu, shumë gjëra kanë ndodhur në Shkodër…

– Lidhet me atë që thashë më sipër. Gjenetike dhe shumë traditë. Ndër vite është punuar shumë me moshat, me të rinjtë, ka pasur një frymë sportive shumë të madhe. Më shumë flitet për pasion, sesa për kushte. Kur isha i ri, pothuaj fëmijë, dhe luaja me ekipet e moshave, shihja shumë përkushtim edhe në volejboll, basketboll, kudo. Të rinj që vraponin dhe kishin një dëshirë të madhe për t’u bërë njerëz të rëndësishëm.

– Por Vllaznia për momentin nuk është elitare…

– E megjithatë, kudo nëpër skuadrat e Shqipërisë shkodranët janë të rëndësishëm dhe prej vitesh përcaktojnë fatet e kampionateve dhe kupave. Sezonin e shkuar ishim unë dhe Sukaj, për shembull, protagonistë deri në fund. Mesa di, ka lojtarë të rinj të aftë, por klubi ndoshta është në një moment tranzicioni dhe besoj që shumë shpejt do bëhet diçka e madhe, sepse ai qytet dhe ajo tifozeri e meriton një gjë të tillë.

– Ju personalisht duket se nuk po kaloni një sezon brilant. Mesatarja e përvitshme e golave për ju është ulur ndjeshëm?

– Nuk ka një arsye konkrete përse kjo ka ndodhur. Mendoj që në ndonjë rast dëmtimet e në ndonjë moment tjetër fati kanë ndikuar. Goli është i çuditshëm. Ndonjëherë shënon disa ndeshje rresht nga kënde të pabesueshme, ndonjëherë tjetër nuk shënon dot as me portën bosh.

– A keni pretendime për faktin, që nuk shërbeheni shpesh?

– Jo, nuk kam asnjë pretendim ndaj skuadrës dhe shokëve. Ata po bëjnë maksimumin e tyre, të gjithë jemi duke bërë më të mirën, që në fund të arrijmë objektivin dhe të shpallemi kampionë të Shqipërisë.

– Këtë sezon konkurrenca është shumë e madhe…

– Ne duhet të komplimentohemi për atë që po bëjmë. Në kushtet kur skuadra dënohet nga UEFA, ka shumë klube apo lojtarë në liga të tjera që dorëzohen. Ne kemi ditur me pjekuri ta kalojmë atë moment dhe për këtë arsye ky titull bëhet edhe më i rëndësishëm. Nuk ishte e thjeshtë, sidomos në aspektin psikologjik, pas asaj çka ndodhi në verë.

– Në Korçë duket se në përgjithësi ndiheni mirë?

– Unë jam një qytetar i lirë i botës. Kam jetuar në Athinë, Vjenë, Uashington, Kinë, Izrael, kudo. Kam aftësinë të ambientohem mirë dhe të kuptoj, që kudo ka njerëz të mirë, ashtu sikundër ka dhe njerëz impulsivë. Megjithatë, nëse kam pak lokalizëm brenda meje, e kam për Shkodrën dhe kjo është e pashmangshme, sepse aty jam lindur, kam kaluar fëmijërinë, adoleshencën dhe aty kam familjen.

– Pra, sa mbaron ndeshja juaj me siguri pyesni sa doli Vllaznia?

– E bëj shpesh një gjë të tillë, më duhet ta pranoj./Gjergji Stefa


Përgjigju