“Pinoku” Trump, 132 deklarata false në 33 ditë


Donald Trump ka qenë president me kohë të plotë apo të pjesshme për 33 ditë.
E në këto 33 ditë, ai ka bërë 132 deklarata jo të vërteta, thënë ndryshe, mesatarisht 4 për çdo ditë.

Rrjedhimisht mund të thuhet se nuk ka pasur një ditë të vetme të Presidencës “Trump”, që ai nuk ka thënë diçka të rreme apo konfuze. Këto të dhëna, që vijnë nga një projekt i ri i kontrolluesit të fakteve të “Washington Post”-it, tentojnë të dokumentojnë deklaratat e Trumpit në 100 ditët e para të presidencës së tij.

Ditën e parë të tij në detyrë, Trump ka bërë 7 deklarata të pavërteta, e kjo është përsëritur edhe në shumë ditë të tjera të presidencës së tij. Ajo që pohon ky projekt është se, Trump nuk ka ndryshuar asgjë në qëndrimin e tij kundrejt së vërtetës që nga zgjedhja president.

Gjatë fushatës, rreth dy të tretat e pretendimeve të tij janë vlerësuar nga ekipi i “Fact Checker”-it të “Washington Post”-it si false, ose thënë ndryshe janë vlerësuar me katër pinokë.

“Nuk ka pasur asnjëherë një kandidat presidencial si Donald Trump, dikush kaq kavaljer me faktet dhe kaq pa vullnet për të pranuar gabimet edhe përballë provave të qarta”, shkruanin asokohe drejtuesit e projektit.

E duke zëvendësuar “kandidati presidencial” me “presidenti”, e njëjta gjë mund të thuhet edhe për muajin e parë në detyrë të Trumpit.

“Të gjithë politikanët shtrembërojnë të vërtetën për t’iu përshtatur qëllimeve të tyre politike, – thonë drejtuesit, – por askush nuk e bën këtë kaq shpesh dhe pa pranuar gabimin, si Trumpi gjatë pak më shumë se 30 ditëve të tij në detyrë”.

Por a do ta prekë kjo të ardhmen politike të Trumpit? “Ndoshta më pak nga sa mendoni”, shkruan “Washington Post”.

Në një sondazh të kryer nga “Fox News” më herët këtë muaj, 45 për qind e të intervistuarve thonin se ata i besonin administratës së tij më shumë sesa medias, ndërsa 42 për qind i besonin kësaj të vërtetës më shumë. Ky mosbesim ndaj medias, kombinuar me përpjekjet agresive të Trumpit për të diskredituar shtypin, i bën statistikat të parëndësishme për shumë mbështetës të tij.

Por sigurisht, kur faktet dhe e vërteta bëhen çështje debati, askush nuk fiton me të vërtetë.


Përgjigju