Pse burrat zgjedhin bibat?! (dhe s’kanë faj fareeeee)


Nga Iva Tico

Nëse është e vërtetë që qeni është miku më i mirë i një burri dhe se futbolli është sporti i tij i preferuar, është po ashtu e vërtetë se biba është gruaja ideale për të.

Bibat nuk flasin dhe nuk tjerrin argumente. Ato nuk të presin në shtëpi për të të dhënë mend çfarë ke bërë mirë apo keq dhe si duhet ta bëje punën më mirë. Maksimumi tundin byçkat dhe bëjnë “ga ga ga”. Por nuk e teprojnë, sepse po bënë ca si shumë “ga ga ga”, e dinë që do i lënë në vend (bibat e paskan të zhvilluar shpirtin e mbijetesës). Ndaj ato e dikan që burrat boll lodhen me punët e tyre, nuk do rrinë të dëgjojnë dhe llafe kur të kthehen në shtëpi. Ndaj biba nuk e zgjat shumë me fjalë. Në fund të fundit nuk është se bibat kanë gjëra për të treguar. E ç’mund të tregojnë bibat?!
Bibat janë ato për të cilat meshkujt na lënë. Sidomos pasi kanë dalë nga një histori që i ka lodhur dhe u del përpara një bibë, ata dorëzohen menjëherë.
Bibat më të zgjuara, thellë-thellë (por shumë thellë ama!) na kanë zili. Sepse e dinë që kur kur një mashkull i lë, atëherë shkon tek shoqja e tij e ngushtë (domethënë tek ne) dhe i thonë se s’mund ta shtynin më me një bibë.
Bibat janë ato që i bëjnë meshkujt t’i marrë malli për ne. Bibat janë ato që urrejmë, por të cilave u jemi thellësisht mirënjohëse: thjesht për faktin se nuk jemi si ato. Kështu së paku ngushëllojmë gjithmonë njëra tjetrën, sa herë që historia e ndonjërës ka mbaruar nga ndërhyrja e një bibe. Gjithmonë i themi: “nuk rrinte dot me ty, ti nuk je bibë”.
E armatosur me një dije të tillë ulem të shoh një program televiziv, e ftuar një nga ato që quhen biba. Siç edhe pritej, fjalor i kufizuar, aty ky ngecet një e qeshur ‘ga ga ga’… Nga pamja pastaj, super e bukur. Se mos kanë punë tjetër bibat?! Gjithë ditën llustrosin pendët, tundin byçkat dhe fryjnë buzët përpara… Për aq kohë sa nuk kanë punë prej vërteti që t’i lodhë nga mëngjesi në darkë, normal që kanë kohë që merren me ‘bibllëqet’ e tyre dhe të shfaqen gjithë shkëlqim. E shoh që flet gjithë budalliqet e botës dhe e pres të më ngrihen nervat.

Në një moment mendoj që nuk duhet t’i ngre nervat, ndaj dhe lëviz kanalin në telekomandë… Por pa kaluar dy minuta, kthehem sërish tek ai emision sepse kurreshtja është e madhe: bibat duhen njohur, nuk mund t’i shash e t’i mallkosh pa i njohur dhe pa mësuar çfarë ka biba ndryshe nga ty. Dhe me atë ndjesinë që do të ngrihen nervat, përzierë me kërshërinë për të njohur “armikun” deri në fund vazhdoj të shoh emisionin.

Biba tregon ca histori bibash me fjalë të thjeshta dhe ga ga ga këtu dhe ga ga ga aty, jo vetëm që nuk t’i ngre nervat por herë pas here të bën të qeshësh. Në fund fare e ndjen se je argëtuar pafund, më shumë sesa po të ishe duke dëgjuar një grua të mençur që do të të fuste në mendime, e ndoshta dhe në krizë. Ja pra ku vjen çudia e madhe: bibat qenkan argëtese pafund. Kur të argëtojnë ty, e imagjonon dot një burrë?! Ja për shembull, ai kthehet nga puna në shtëpi.

Nëse futet në derë dhe të gjen ty, të veshur me pizhama, flokët e lidhura, një bluzë që varet nga të gjitha anët sepse ti mendon që je aq e zgjuar sa nuk mund të bësh si bibë e të vishesh me mëndafsh për të tërhequr një burrë, pas kësaj pamjeje ai burrë do dëgjojë një mijë pyetje se si e ka kaluar ditën dhe një mijë sugjerime se si mund ta kishte bërë më mirë çdo gjë që ka bërë deri tani, shoqëruar nga shprehje të tipit po-të-mos-më-kishe-mua-ku-do-mbyteshe. Pastaj do t’i duhet të hajë një darkë, që nëse nuk e shoqëron çdo kafshatë me fjalë mirënjohjeje dhe falënderimi për vaktin e përgatitur nga ti, rriskon të dëgjojë ato fjalimet “ç‘më di ti mua, shërbyesen tënde që nuk meritoj së paku një famënderim?!” apo “nuk ke faj ti, kur me gjen mua që lë gjërat e mia për t’u marrë me ty”.
Dhe çfarë bën biba, ndryshe nga ty, në një rast të tillë? E përfytyron të veshur me mëndafsh, flokët e lëshuara, pak tualet, teksa qesh ga ga ga dhe nuk i bën asnjë pyetje, i thotë që e ka xhan dhe ca bibllëqe që atë e argëtojnë pafund…
E kotë të pyesësh veten kë do zgjidhte ai, ty apo bibën… I ke aq mend në kokë që ta kuptosh që ti të çan menderen dhe po të ishe burrë do ikje me vrap nga një femër si ty dhe do mbaje vetëm bibën… Pastaj kur të doje një bisedë të thellë apo ndonjë dramë me shumë akte, do shkoje tek një femër nga këto “intelektualet” për t’ja mbathur prapë me vrap tek biba e buzëqeshur.
E kupton që nuk ka asnjë shans të bësh garë me bibën: do humbësh gjithsesi. Sepse bibat e kanë të zhvilluar shpirtin e garës. Nisen me vrap duke tundur byçkat… Dhe mjerë kush hyn në garë me to: do dëgjojë një lumë të pafund ankesash, të sharash e qaravitjesh. Kur e sheh një bibë që synon diçka që e keti, më mirë lërja me të parën, mos u fut kurrë në garë me të se thjesht do harxhosh kohë. Biba ka njëmijë marifete për t’ia dalë mbanë (i harruat byçkat që tunden, mos i nënvleftësoni praaaa!!!).

Nëse do të bësh garë, duhet të marrësh shembull nga biba dhe të tentosh të jesh si ajo. Bibë nuk bëhesh dot ama, sado të tentosh, sepse bibë lind, duhet ta kesh mamin patë që të të mësojë se si të jesh bibë sa je ende e vogël. Përndryshe po u rrite nuk ke asnjë shans. Mundet vetëm të ngushëllohesh e të thuash se burrat nuk kanë fare faj, edhe ti po të ishe në vend të tyre do zgjidhje bibën.


Përgjigju