Qeveria rikthen taksën e rrëzuar nga Kushtetuesja. Ja sa do të rritet çmimi i naftës


Ministria e Energjisë ka në plan të taksojë me 3 milionë lekë ose 22 mijë euro çdo pikë që shet karburant në kryeqytet dhe 1.5 milionë lekë çdo pikë tjetër nëpër rrethe. Përmes një lëvizje të beftë, qeveria po përpiqet për herë të dytë të vendosë të ashtuquajturën taksa e riliçencimit, e cila në tentativën e parë gjatë vitit të kaluar u rrëzua nga gjykata kushtetuese si e paligjshme.Taksa e riliçencimit paguhet një herë në çdo 5 vjet. Deri në vitin 2015, kjo taksë ka qenë 30 mijë lekë për karburantet e kryeqytetit dhe 20 mijë lekë për ato në rreth. Por në paketën fiskale të vitit të kaluar qeveria propozoi që taksa të rritej me mbi 170 herë duke shkuar në 5 milionë lekë për çdo pikë karburanti.

Shoqata e hidrokarbureve e kundërshtoi menjëherë rritjen drastike të taksës, e cila sipas saj çonte automatikisht në një rritje me 5 deri në 10 lekë për litër të çmimit të naftës. Shoqata e ankimoi taksën në Gjykatën Kushtetuese, e cila e rrëzoi atë si të paligjshme. Por qeveria duket se nuk është dorëzuar dhe po përpiqet ta rikthejë taksën sërish, këtë herë në nivelin 3 milionë lekë, çka sipas tregtarëve do të çojë në një rritje me 4-7 lekë për litër të çmimit të naftës.

Historia

Vitin e kaluar qeveria vendosi në mënyrë të beftë dhe pa u konsultuar me grupet e interesit, të rrisë me 170 herë taksën për përsëritjen e detyrueshme të licencave për stacionet e shitjes së karburanteve, gazit të lëngshëm të naftës, për automjetet dhe vajrave lubrifikantë, duke e bërë atë 5 milionë lekë, për Bashkinë e Tiranës, dhe 2 milionë lekë, për bashkitë e tjera. Më parë, tarifat ishin përkatësisht 30 mijë lekë dhe 20 mijë lekë.

Vendimi u kundërshtua menjëherë nga Shoqatat e Hidrokarbureve e cila e rrëzoi taksën. Ky vendim sipas tregtarëve të naftës amortizoi pjesërisht rritjen e çmimit të naftës në tregjet globale në fund të vitit të kaluar, por nëse qeveria do ta rikthejë sërish taksën atëherë çmimi i naftës pritet të rritet menjëherë nga 4 deri në 7 lekë për litër, një faturë që shkon direkt për qytetarët dhe që pason rritjen e çmimit të gazit në fillim të këtij viti.


Përgjigju