Rikthehet Liljana Kondakçi me nje klip te ri


Këngëtarja më e njohur e viteve ‘80 Liljana Kondakçi, fituese e dhjetëra çmimeve në festivalet e këngës në Radiotelevizionin Shqiptar rikthehet me një videoklip të ri.
Lajmin e ka dhënë vetë këngëtarja në facebookun e saj, ku konkretisht shkruan: “Miqtë e mi, ja dhe videoklipi im i ri. Shpresoj t’ju pëlqej.”
Ëndrra e këngëtares Kondakçi për ta realizuar këtë videoklip ka nisur një vit më parë, sipas një bisede të bërë me koleget e dikurshme të festivalit të këngës. Videoklipi i ri titullohet “Samba”.
Zëri i Liljana Kondakçi tingëllon ende i freskët dhe i ëmbël si në vitet e rinisë kur publiku shqiptar e adhuronte dhe e vlerësonte.
Edhe pse është rreth të 60-tave Liljana Kondakçi në këtë videoklip këndon me një energji të veçantë, ku butësia e rimave dhe muzikaliteti i shpirtit të saj rrezatojnë.
Këngëtarja e njohur, prej disa vitesh është larguar nga skena e këngës për arsye familjare dhe ligjore, sepse u akuzua si pjesë e një rrjeti të shpërndarjes së drogës.
Por vetë këngëtarja e njohur lirike e viteve ‘80 ka hedhur poshtë dyshimet, ndërsa pas disa proceseve të vazhdueshme gjyqësore ka fituar lirinë dhe vazhdon të jetën e saj në skenat muzikore.

 


Përgjigju