Tatimet: Kujdes, vetëkorrigjohuni afati përfundon në 10 shkurt


Afati për vetëkorrigjimin e deklaratave të totalit të blerjeve dhe shitjeve për sipërmarrësit e kategorive Biznes i Vogël me dhe pa TVSH, përfundon ditën e premte, 10 shkurt 2017.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve i ka tërhequr vëmendjen biznesit të vogël që të përmbushë detyrimin brenda këtij afati, në të kundërt do të vazhdohet me kontrollet për vlerësim.

“Administrata tatimore fton sipërmarrësit e kësaj kategorie, për të cilët janë vënë re parregullsi, të korrigjojnë brenda këtij afati pasaktësitë përpara vlerësimit nga ana e administratës tatimore. Të gjithë tatimpaguesit e kësaj kategorie janë njoftuar më herët përmes sistemit individual e-filing, si dhe në faqen zyrtare www.tatime.gov.al. DPT është e gatshme t’ju asistojë në këtë proces.”, thuhet në njoftimin e kësaj drejtorie.

Administrata Tatimore sqaron të gjitha hapat që duhet të ndiqen për të korrigjuar pasaktësitë përpara vlerësimit të tyre.

“Mbështetur në nenin 16, të ligjit nr. 9632, datë 30.10.2006 “Për sistemin e taksave vendore” i ndryshuar, ju jeni të detyruar që brenda datës 10 shkurt 2017 të dorëzoni formularin e Deklarimit dhe Pagesës së Tatimit mbi të Ardhurat e Biznesit të Vogël, për periudhën tatimore të lidhur me vitin kalendarik 2016.
Në këtë formular, nga ana juaj, duhet të paraqiten hollësisht të ardhurat gjithsej, shpenzimet e zbritshme, fitimi i tatueshëm, tatimi për t’u paguar, si dhe çdo hollësi tjetër e përcaktuar me udhëzim të ministrit të Financave për plotësimin dhe dorëzimin e deklaratës tatimore vjetore.

Tatimpagues që keni përgjegjësinë tatimore të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar dhe të Tatimit të Thjeshtuar mbi Fitimin për biznesin e vogël,

Ju jeni të detyruar të deklaroni elektronikisht pranë administratës tatimore:

1.Librin e shitjeve dhe librin e blerjeve, brenda datës 10 të çdo muaji, që pason periudhën tatimore që deklarohet.

2.Formularin e Deklarimit dhe Pagesës së Tatimit mbi të Ardhurat e Biznesit të Vogël, brenda datës 10 shkurt 2017.

Administrata tatimore bën të ditur se çdo e dhënë e deklaruar nga:

-ana e biznesit
-nga furnitorët
-nga klientët

është në verifikim konstant.

Nga të dhënat e nxjerra në sistemin elektronik të tatimeve, ka rezultuar që ka tatimpagues, që nuk kanë qenë korrektë në deklarimet e tyre periodike mujore, lidhur me të dhënat për blerjet, pra nga furnitorët e tyre por edhe të shitjeve.

Me qëllim që ndaj jush, në rastin e konstatimit të parregullsive, të mos zbatohen dënimet administrative që parashikon ligji nr.9920 datë 19.5.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, ju bëhet me dije që keni mundësinë e vetme që:

Formularët e Deklarimit dhe Pagesës së TVSH-së, të deklaruar parregullsisht, të mund t’i deklaroni të ndryshuar, në të drejtën që ju jep neni nr. 67 i ligjit, nr.9920, datë 19.5.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, brenda datës 10 shkurt 2017.
Formularin e Deklarimit dhe Pagesës së Tatimit mbi të Ardhurat e Biznesit të Vogël, të cilin ju detyroheni ta dorëzoni brenda datës 10 shkurt 2017, ta plotësoni mbi baza të plota rregullshmërie, për të gjithë transaksionet tuaja faktike të blerjeve dhe të shitjeve, që keni kryer gjatë vitit ushtrimor kalendarik 2016.
Në rast se pas verifikimit nga administrata tatimore, deklarata/t dërguar nga ana juaj, konstatohen të parregullta, ndaj jush do të zbatohen dënimet administrative që parashikon ligji nr. 9920, datë 19.5.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.

Tatimpagues që keni përgjegjësinë tatimore të Tatimit të Thjeshtuar mbi Fitimin për biznesin e vogël,

Ju jeni të detyruar të deklaroni elektronikisht pranë administratës tatimore:

Formularin e Deklarimit dhe Pagesës së Tatimit mbi të Ardhurat e Biznesit të Vogël, brenda datës 10 shkurt 2017.
Administrata tatimore, ju bën me dije që çdo e dhënë:

-e deklaruar nga ana juaj,
-nga furnitorët tuaj,
-nga klientët tuaj
është në verifikim konstant.

Me qëllim që ndaj jush, në rastin e konstatimit të parregullsive, të mos zbatohen dënimet administrative që parashikon ligji nr.9920, datë 19.5.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, ju bëjmë me dije që ju keni mundësinë e vetme që:
Formularin e Deklarimit dhe Pagesës së Tatimit mbi të Ardhurat e Biznesit të Vogël, të cilin ju detyroheni ta dorëzoni brenda datës 10 shkurt 2017, duhet që ta plotësoni, mbi baza të plota rregullshmërie, për të gjithë transaksionet tuaja faktike të blerjeve dhe të shitjeve, që keni kryer gjatë vitit ushtrimor kalendarik 2016″, thuhet në sqarimin që bën Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.


Përgjigju