Tatimet vënë 9 piketat se si do të luftojnë mashtrimin tatimor deri në vitin 2021


Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka bërë gati një plan strategjik për periudhën 2017-2021, të cilin janë vënë piketat themelore se si do të luftohet mashtrimi tatimor. Në themel të tij janë përqendrimi i kontrolleve tatimore në bizneset me risk të lartë evazioni dhe përpunimi i të dhënave në mënyrë elektronike.

Së pari do të bëhet kontroll tatimor i përqendruar tek tatimpaguesit, risqet dhe sektorët ekonomikë të cilët kanë gjeneruar humbje të konsiderueshme në buxhetin e shtetit.

Së dyti zhvillimi i metodave të reja të analizimit të të dhënave në mënyrë elektronike gjatë kontrollit tatimor dhe mbështetja e përdorimit të gjerë të faturave elektronike. Gjithashtu do të zhvillohen kapacitetet për monitorimin dhe kontrollin e transaksioneve elektronike.

Së treti shtimi i formulave në modelin e kontrollit për të shtuar efektivitetin e tij në identifikimin e tatimpaguesve më rrezik.

Së katërti përmirësimi i kapaciteteve në kontrollin e produkteve me risk të lartë tatimor me qëllim verifikimin elektronik të të dhënave në zinxhirin e transaksioneve.

Së pesti përmirësimi i cilësisë së kontrolleve. Përditësimi i procedurave të kontrollit për të siguruar kryerjen në kohë dhe në mënyrë standarde të tyre.

Së gjashti zhvillimi i kapaciteteve për zbulimin e mashtrimeve tatimore nëpërmjet përdorimit dhe analizimit të informacioneve nga burime të ndryshme, si dhe krijimin e ekipeve të profilizuara.

Së shtati përdorimi i qasjes për parandalimin e mashtrimeve tatimore, mbështetur në monitorimin dhe komunikimin e vazhdueshëm me tatimpaguesit, në mënyrë që të stimulojnë korrigjimin vullnetar dhe në kohë të sjelljes jo të rregullt.

Së teti ngritja e kapaciteteve të personelit të Drejtorisë së Kontrollit në DTM, mbi bazë të sektorëve të ekonomisë.

Së nënti rritja e bashkëpunimit me institucione të tjera ndërvepruese në gjurmimin e krimit tatimor.


Përgjigju