Tërheqja nga bojkoti/ Çfarë i mbetet Bashës veç çadrës?


Lulzim Basha i dha fund njëherë e mirë lojërave me fjalët për 18 qershorin. Nga çadra e protestës, përjashtoi alternativën e bojkotit të zgjedhjeve, pavarësisht kauzës që ka ngritur në këmbë opozitën. Dje i dërgonte ultimatum Edi Ramës, ndërsa sot, njoftoi se do t’i drejtohej me një ultimatum Denar Bibës.

“Kush i fryn borive të bojkotit gabohet rëndë. Sot, dorëzojmë në KQZ ultimatumin me shkrim për zgjedhje të lira e të ndershme. Nuk do të ketë bojkot, por zgjedhje të lira e të ndershme dhe republikë të re” ishin fjalët e Bashës përballë kryeministrisë.

Deklaratën e bëri nga çadra, ku kishte ftuar pedagogë të universiteteve për një bashkëbisedim. Më pas, kërkoi falje dhe la protestën, për një takim me biznesmenë në Hotel Rogner.

Rrëzimi i alternativës së bojkotit, nuk e ndryshon axhendën e opozitës. Për Edi Ramën kërkesat janë të njëjtat. Mbetet në fuqi krijimi i qeverisë teknike dhe bashkë me të edhe 4 kushte:

1-Zbatimin e plotë të ligjit të dekriminalizimit.

2-Luftë efikase kundër narkotrafikut, krimit të organizuar dhe parave të drogës.

3-Përgatitjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme.

4-Zbatimin e reformës në drejtësi, sipas përcaktimeve kushtetuese të 22 korrikut.

Ditën kur nisi protesta, gjëja e parë që e shqetësoi Edi Ramën ishte se mos i dëmtohej neoni tek streha e Filip Parreno në hyrjen e kryeministrisë. Pasi e siguroi me një mbulesë, Rama iu përvesh opozitës flakë për flakë me akuza. Çadrën e quajti një mburojë për gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar, ndërsa qëllimi i vërtetë i protestës, sipas tij, ishte bllokimi i vetingut.

Për ta relativizuar, ngriti çadra në të gjithë Shqipërinë për peticionin pro Vetingut. U ul për darkë me Ilir Metën në godinën e qeverisë dhe kur mbaruan së ngrëni, ftuan Lulzim Bashën të ulej në tryezë me ta.

Pavarësisht kësaj, opozita i vuri në tavolinë axhendën e saj, që Rama ia quajti me përbuzje “qiqra në hell”. Indiferent nga kërcënimet, parakaloi me familjen disa metra larg çadrës, megjithëse Lulzim Basha kishte thirrur nga aty për luftë, thyerje xhamash apo shpim gomash.

Bllokimi i bulevardit nga opozita për 22 ditë me radhë, nuk ka dhënë asnjë efekt. Nuk ka distancim të Edi Ramës nga kriminelët që futi në politikë, nuk ka përgjegjës nga policia për kultivimin e kanabisit, ende mohohet blerja e votave në Korçë dhe Peshkopi, ndërsa vetingu dalëngadalë po rrëshqet drejt dështimit.

Pikërisht bllokimi i vetingut, po i shërben Ramës si kalë beteje, në fushatën për 18 qershorin. Duke llogaritur të gjitha këto, 18 qershori ngjan si dita e dënimit të opozitës, aspak si dita e zgjedhjeve. Pyetja që rëndon mbi Lulzim Bashën, është se si do ta realizojë ai përmbysjen e Ramës, kur sapo i hoqi vetes një nga mjetet më të fuqishme në luftën kundër rivalit politik?


Përgjigju