VIDEO/ Qelluan me veze kryeministrin, gjykata i denon 8 studentet


Tetë studentët që goditën me vezë kryeministrin Edi Rama gjatë një aktiviteti në fakultetin e Shkencave Sociale në nëntor të vitit 2015 janë gjetur fajtorë nga Gjykata e Tiranës.

Sipas vendimit të gjyqtarit Arben Micko studentët kanë konsumuar veprën penale të “goditjes për shkak të detyrës dhe kundërshtimit të punonjësve të policisë”.

Ndaj tyre është dhënë masa e dënimit dy muaj burg për secilin, e konvertuar kjo në shërbim prove dhe punë të detyruar publike.

Vetë studentët kanë reaguar pas vendimit duke e quajtur këtë një gjyq politik.

“Jemi të angazhuar në mbrojtjen e interesit publik, konkretisht brenda universitetit, të njëjtën gjë do vazhdojmë ta bëjmë. Përsa i përket vendimit të gjykatës që na shpalli fajtorë me dy muaj burg ose dënim i cili konvertohet në 60 orë punë publike, mendojmë që i gjithë procesi që kur kemi qenë të pandehur e deri në shpalljen fajtor ka qenë një hakmarrje politike për shkak të çjerrjes së maskës që i kemi bërë keqbërësit i cili as nuk guxoi të paraqitej në gjyqin kundër nesh. Rama ka hartuar këtë reformë klienteliste në kurriz të studentëve dhe qytetarëve në interes të disa diplomoreve private, ne do vazhdojmë të mbrojmë interesin publik, qoftë në universitet, qoftë jashtë tij”, tha Bora Mema.


Pasi qëlluan me vezë ndaj kryeministrit disa prej studentëve u shoqëruan në polici dhe u proceduan penalisht në gjendje të lirë.

Ndërkohë prokuroria në pretencën e saj kërkoi 1 javë më parë dënimin e tyre dhe konvertimin e dënimit me punë publike, siç dhe vendosi gjykata.

Studentët e dënuar:
Anita Lushi
Bora Mema
Klosi Hoxha
Viki Cipi
Liri Kuci
Durim Jasharaj
Dardan Konjufca
Valton Marku


Përgjigju