Vrapi: E treta e vërteta, këtë herë fiton Vllaznia


Këtë kampionat, Laçi është i vetmi ekip ndaj të cilit Vllaznia nuk ka marrë asnjë pikë. Mund të duket paksa e çuditshme por në fakt ky është realiteti. Gjithsesi për mbrojtësin e kuqebluve Endri Vrapi takimi i nesërm do të jetë tjetër histori. “Vërtetë me Laçin i kemi humbur të dyja ndeshjet këtë kampionat por në fakt në të  dy rastet nuk është se kundërshtari na ka dominuar por kemi humbur pas disa gabimeve tonat. Këtë herë besoj se do të jetë ndryshe dhe meqë është e treta, shpresoj të jetë e treta e vërteta dhe ne të fitojmë dhe të marrim fitoren”- është shprehur ai në konferencën e sotme për shtyp.

Përvoja e këtij lojtari në e  e prapavijës sigurisht që i ka shërbyer kuqebluve megjithatë e rëndësishme është që ata të arrijnë objektivin që kanë. Vrapi është i bindur se mund t’ia dalin por më parë duhet që Vllaznia të mundë Laçin dhe ai ka besim se mund ta kalojnë me sukses këtë sfidën e nesërme. “Nuk mendoj se kemi të bëjmë me një ndeshje shumë të vështirë. Laçi vërtetë ka një ekip simpatik që lufton fort por edhe ne kemi treguar se dimë të bëjmë lojëra të bukura dhe të marrim rezultate pozitive ndaj çdo kundërshtari. Jemi në një gjendje të mirë dhe unë kam shumë besim se në fund të kësaj ndeshje, do të jetë Vllaznia ajo që do t’i gëzohet trepikëshit të fitores. Njëherë duhet të kalojmë me sukses këtë takim dhe më pas të mendojmë për takimin tjetër me Teutën. Jemi disa skuadra pranë njëra- tjetrës dhe diferenca nga vendi i katërt tek i nënti nuk është shumë e madhe. Peandaj të fitojmë njëherë me Laçin për të qenë më të qetë per vazhdimësinë”- ka thënë Vrapi.


Përgjigju